Meshkujt e rinj detyrohen të largohen nga turma për të parandaluar konkurrencën. Në vitet e pjekurisë, janë në kulmin e forcës. Kalojnë kohën duke mbrojtur turmën nga kundërshtarët. Po ashtu, kanë shanset më të larta për riprodhim. Në mbretërinë e tyre, luanët janë ata që mbajnë kurorën; mbijetesa e tyre varet nga forca, inteligjenca dhe fati.
Kur flasim për luanët, ne vizualizojmë forcën, ditët e tyre më të lavdishme. Mendojmë për guximin, udhëheqjen dhe dinjitetin.
Ne shohim atë që duam dhe, mbi të gjitha, imagjinojmë atë që duam.
Duke përmendur luanët, imagjinata jonë ngec tek mendimi për rënien e tyre dhe moshën e vjetër.
Me kalimin e kohës, forca e luanëve zvogëlohet, duke e bërë më të vështirë gjuetinë. Meshkujt shpesh zëvendësohen nga kundërshtarë më të rinj dhe më të fortë. Shumë prej tyre, në moshë të shtyrë, vdesin nga uria ose nga plagët e shkaktuara në beteja apo gjatë gjuetisë.
Në moshë të vjetër, luanët që dikur qëndronin në ‘fushën e betejave’ fshihen nga predatorët e tjerë.
Vdesin të vetmuar dhe shpesh herë larg nga turma apo vendi i tyre.
Njeriu refuzon të sjellë në mendje momentin kur lavdia ndryshket nga koha dhe forca i përthithet mu nga ajo.
Jeton sikur faza e rënies nuk do të ekzistojë asnjëherë.
Luanët plaken, njerëzit po ashtu.
Gjatë jetës sonë, kemi fazat e lavdisë dhe të gjuetisë.
Luani im po plaket, dëgjimi i tij ka humbur.
I verbër ka lindur, i verbër do të vdesë.
Luani im ka ikur nga kopeja, nga fusha e betejave; po fshihet nga predatorët në moshë të shtyrë, që të mos bëhet dreka e atyre që dikur ishin mëngjesi i tij.
Por kur flitet për luanët, ne përsëri kujtojmë lavdinë.
Ai s’mund më të mbrojë kopenë. As kopeja atë. Ndaj ai ikën i vetëm.
Koha i ka marrë forcën, dëgjimin, mprehtësinë, por asgjë nuk do t’ia marrë lavdinë.

Lini një koment