Lëre atë filxhan mu aty, le të jetë dëshmi e asaj se unë dje jetova. S’dua perfeksion, jo.
S’dua perfeksion, s’dua perfeksion.
Asgjë e tillë nuk është unë jo, ti jo.
Bota, akoma më kaotike se ne të dy, po.
Atëherë ç’më duhet një filxhan i larë?
Ai: Ah, dhe ju shkrimtarët, të çmendur po.
Ajo: Ah, dhe ju ordinerët, normal po.
Ai: Po një filxhan ishte, e bëre histori.
Ajo: Ndoshta sepse unë mendoj për jetën dhe vdekjen.
Ndoshta sepse unë e di që ai filxhan mund të jetojë më gjatë se unë.
Ndoshta sepse e kuptoj që siguria nuk blihet,
që as të gjitha paratë e botës nuk e mbushin një zemër të zbrazët.
Ndoshta sepse ti je një idiot.
Ai: Po merre shtruar, gjë s’të thashë.
Ajo: Shtruar e ke, idiot je.
Dhe e di se çfarë? Unë them se lumturia është një gjendje e paarritshme për mua,
por kur shoh sojin tënd, ndihem e lumtur,
se qoftë e fundit, unë mund të mendoj.
Ata që mendojnë quhen të çmendur.
Budallenjtë përgëzohen.
Bota vallëzon në funerale.
Njerëzit e butë janë budallenj.
Të çmendurit e vërtetë kanë pushtetin në duar dhe marrin jetë.
Sikur lojë të ishte, do të merrej më seriozisht.
Por sot jeta s’ka vlerë,
dhe të drejtat tua janë ndërtuar asisoj që t’i përkasin dikujt tjetër.
Duartrokitet secili për një formë të re manipulimi.
Botë e udhëhequr nga të çmendurit, e ndërtuar për t’u rrënuar.
Shkëput degët,për të treguar sa i fortë je,
por vetes pa oksigjen i lë.
Për çfarë po trajnohemi?
Sepse të gjitha mësimet janë:
si të vrasësh njeriun brenda vetes.
Pse frikësohemi nga zëvendësimi i makinave,
nëse vetë jemi shndërruar në makinat më të rrezikshme që ecin në tokë?
Njeriu nuk ka nevojë për armik,
sepse është vetë armiku i vetes.
Lini një koment