Sa shumë energji kam shpenzuar që t’i mundësoj vetes udhëtimin nga e kaluara në të tashmen. Asnjëherë nuk e kam ditur se sa e vështirë është ta sjellësh një person nga e kaluara në të tashmen. Me siguri kjo është arsyeja pse disa njerëz qëndrojnë në të kaluarën gjithë jetën e tyre.
Hapi i parë është më i vështiri, sepse gjithçka nis nga një hap.
Por për të hedhur atë hap të duhet energjia e të gjithë gjeneratave para teje, dhe kjo është arsyeja pse disa njerëz shpenzojnë një jetë në të njëjtin vend.
Gjithnjë më e lehtë është të qëndrosh në të njëjtin vend.
Kjo është arsyeja pse ne, si njerëz, tentojmë të bëhemi bimë dhe të krijojmë rrënjë.
Dhe kur dikush na tregon se bimë nuk jemi, ne emocionohemi dhe refuzojmë të shohim atë që në realitet jemi. “Po, bimë jemi, po bimë helmuese jemi” – ulërasim sot.
Kaq të thella janë problemet tona si njerëz. Kaq thellë, sa shikojmë në pasqyrë por veten nuk e shohim. Shohim maskën tonë të punuar me aq kujdes për t’u pëlqyer të tjerëve, sa që asnjë detaj tonin autentik nuk e kemi shtuar. Ne nuk e pëlqejmë as veten, as maskën që kemi punuar.
Ballo me maska e palaço, dhe më pas habitemi se askush nuk na njeh, as ne vetë.
Të maskuar, ulërasim se askush nuk na njeh.
Duke shtuar elemente që shoqërisë i pëlqejnë – dhe këto ndryshojnë çdo ditë – vetja jonë shndërrohet në një stacion treni që më nuk kuptohet se kush jemi apo ku shkojmë.
Ndihemi të humbur, derisa ne vetë largojmë e marrim gjëra të reja, të cilat edhe vetë i gjejmë të shëmtuara.
Habitemi me mospëlqimin ndaj vetes, ndërkohë që me vite kemi punuar kundër vetes.
Lini një koment