Recensione letrare

Recension për Swing Time nga Zadie Smith

Swing Time i Zadie Smith është një roman që nuk të jep një përgjigje të qartë apo një përfundim klasik.

Në qendër të tij janë dy vajza me ngjyrë të përzier nga një lagje punëtore në Londër: rrëfimtarja pa emër dhe shoqja e saj e fëmijërisë, Tracey. Të dyja ndjekin mësime kërcimi, të lidhura nga pasioni për muzikën dhe lëvizjen. Por rrugët e tyre ndahen shpejt: Tracey është e talentuar, e egër, por e shkatërruar nga zgjedhjet e saj; rrëfimtarja nuk ka dhuntinë e kërcimit, por ka syrin e vëzhgueses, duke mbetur gjithmonë në hije, duke parë jetën e të tjerëve.

Ky Roman të jep ndjesinë e një trullosje mendore, si lexues kërcen nga koha në kohë, nga rrëfyesja e ngjarjeve, tek personazhi ideal, duke pritur për një e ngjarje madhështore në fund të librit, këtu pasqyrohet ajo se jo gjithnjë dhe të gjithë jemi të destinuar për gjëra më të mëdha se sa ne vetë. Ndonjëherë nuk jemi më shumë se dëshmitar të ngjarjeve të tona e të ngjarjeve të njerëzve që më shumë duam.

Në këtë ”Swing” Romani ngre shumë pyetje të thella:

Çfarë do të thotë të jesh me ngjyrë, grua, e rritur mes dy kulturave?

A mjafton talenti për të shpëtuar dikë nga mjerimi?

Cila është më e rëndësishme në jetë: të veprosh apo të kuptosh?

Është një vepër që tregon rrugicat nëpër të cilat kemi shkuar për tu bërë ata që sot jemi. Të jesh i lumtur në vendet më të ‘palumtura’, të jesh i mërzitur në vendet ‘ku duhet’ i lumtur të jesh.

Ajo që lë një ndjenjë të fuqishme dhe elementi më interesant në mendimin tim kritik është kontrasti mes dy nënave: nëna e rrëfimtares, intelektuale, e ftohtë dhe ambicioze; dhe nëna e Traceyt, e ngrohtë por e humbur në varfëri dhe pakujdesi.

Njëra është mendje pa butësi dhe tjetra është butësi pa mendje dhe vajzat e tyre jetojnë e rriten mes këtyre kundërshtive.

Rekomandim: Nëse keni kohë dhe durim për një lexim të ngadaltë dhe reflektiv, ky libër ia vlen ta lexoni.

Ajmane Bajrami

Lini një koment