Të dua dhe pas fundit

Një fotografi, një dorëshkrim mezi i lexueshëm, një filxhan kafeje, një perëndim dielli, një orë që ecën me nxitim, kohë e shkuar — çdo gjë që pason këtë moment. Sot në botë ndodhën shumë ndryshime, ndërsa unë mendoj për botën time.
Në botën time i kisha ftuar edhe dy të dashuruar, që me ecjen e orës mbetën ish-të dashur. Dy njerëz që qenë miq besnikë të njëri-tjetrit, edhe kur dekadat tradhtonin njëra-tjetrën. Sot vdiq mikja e tij, por pas vetes harroi atë që tërë jetën nuk e kishte harruar: mikun besnik të dekadave tradhtare.
Nëse lotët do të mund ta rikthenin dikë nga rruga e amshimit, atëherë ajo do të kthehej si një erë pranvere dhe do ta merrte të dashurin e saj në përjetësi. Ai, me lotët e tij, i krijoi Francës një lumë të ri — që u tha nga harresa që ajo i kishte bërë, nga koha që kishte fluturuar duke e lënë të tradhtuar njeriun më besnik që kishte njohur historia, nga injoranca që bota i bën dashurisë.
Sa ndryshime do të ndodhin në natyrë, sa luftëra do të fillojnë e përfundojnë derisa ne të kthejmë kokën drejt asaj që vërtet ka vlerë — drejt asaj ku jehon zemra, drejt shkëndijës së dashurisë.
Dashuro me forcën për të ndryshuar natyrën, me butësinë për të ndalur shiun. Dashuro që lumenj të krijohen nga dhimbja. Ata kishin për familje vetëm dashurinë.
Thonë se dashuritë e mëdha nuk veshin fustan nusërie, por edhe rrobat e vdekjes janë të bardha. Dy vija të krijuara për t’u ndarë — por kjo nuk do të thotë kurrë se dashuria ka përfunduar. Ajo jeton në ne, ecën nëpër rrugët ku ecim ne, ajo e gjen qetësinë në thellësinë tonë. Aty fle rehat dashuria e kohës së kaluar.
Ndonjëherë, ajo e gjen rrugën nga kujtimet, dhe nga ajo paqetësi ne ndiejmë dhimbje. Dashuria nuk vdes. Ajo është gjithmonë e re — përndryshe, pse do të jetonim ne?

© 2025 Ajmane Bajrami